e martë, 8 maj 2012

Popujt e Detrave

Popujt që erdhën nga deti Siç tregojnë egjiptianët, ata u kthyen në shekullin XII para Krishtit. Ishin shumë njerëz të armatosur me qëllime ndër më të këqijat, që përparonin nga Lindja drejt deltës së Nilit, duke lëvizur në tokë e në det: të parët në këmbë apo në karroca të tërhequra nga buaj, të shoqëruar nga familjet e tyre; të dytët mbi anije të ngjashme me gondola të mëdha, me një pemë të vetme, pa rrema e pa timon. Mes tyre, të njohur prej përkrenareve me bri, të tmerrshmit Sherden. E megjithatë, pavarësisht pabarazisë së forcave, egjiptianët arritën të dëbojnë pushtuesit në një betejë epike në det. Ramsesi III u krenua gjatë dhe për t’u siguruar që askush nuk do të harronte këtë fitore të madhe të tij kërkoi të ndërtohet pranë Tebës tempulli i Medinet Habu. Më pas e mbuloi me relievë dhe mbishkrime që kujtojnë edhe sot fitoren e tij mbi ata popuj: për këtë arsye e dimë që kundër tij luftuan Pelesët, Tjekerët, Shekeleshët, Danunanët dhe Uesheshët, përveç Sherdenëve të përmendur tashmë. Lundërtarë Po cilët ishin këta luftëtarë me emra ekzotikë, protagonistë misteriozë të historisë së lashtë të Mesdheut? Prej nga vinin? Dhe deri ku i shtynë anijet e tyre? Shkatërrues barbarë të fuqive të mëdha lindore (mikenasit, hitejtë, egjiptianët, mitanët mund të kenë rënë prej goditjeve të tyre) apo pushtues civilë, luftëtarë të frikshëm apo mjeshtra të lundrimit, me origjinë nga Lindja apo nga Perëndimi: secili prej këtyre përcaktimeve ka nga pakëz të vërtetë. Edhe sepse mbi identitetin e tyre mund të bëhen vetëm supozime. “Bëhej fjalë për popuj mesdhetarë, lundërtarë, por jo vetëm, të cilët përmenden nga disa tekste në shekujt XIV dhe X para Krishtit”, shpjegon Giovanni Battista Lafranchi, docent i historisë së Lindjes së Afërme në Universitetin e Padovës. “Në këto dokumente përdoren terma shumë gjenerikë: ‘i gjelbër’ për ta ishte deti, për këtë arsye sot i quajmë popujt e detit”. Të pakontrollueshëm Duke parë këto burime, mund t’u japim atyre një emër, por pastaj nuk është e lehtë të identifikohen me popujt që njihen historikisht: disa studiues thonë se Shekeleshët ishin banorët e lashtë të Sicilisë, Turshat ishin etruskët, Pelesët ishin Filistejtë e Palestinës, Lukkat ishin banorët e Licias.