e martë, 8 maj 2012

Kush ishin Fenikasit?

Aty rreth vitit 1500 para erës së re, në viset e Libanit të sotëm, u zhvillua një qytetërim, ai i fenikasve që u shqua kryesisht për aftësitë e ndjeshme të shfaqura në fushën e detarisë dhe të tregtisë. Ky popull me origjinë semite themeloi një sërë qytet-shtete (Tiron, Sidonën, Biblon), të cilat fillimisht qenë të dhëna pas bujqësisë dhe zejtarisë. Për rrjedhojë, të lehtësuar nga pozicioni gjeografik që favorizonte shkëmbimet midis Mesopotamisë dhe pellgut të Mesdheut, fenikasit u shtynë drejt detit, duke u bërë lundërtarë të zotë. Për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe për të mbërritur në vende gjithnjë e më të largëta, ata zhvilluan një sistem kolonish në brigjet e Afrikës së Veriut, Italisë dhe Spanjës. Në njërën prej këtyre qyteteve porte që përdoreshin nga detarët fenikas si vende ankorimi dhe depozitimi të mallrave, Kartagjena (në Tunizinë e ditëve të sotme), do të lindte qytetërimi “punik”, i cili do t’u bënte ballë për një kohë të gjatë synimeve ekspansioniste të Romës, derisa të mposhtej në fund të Luftës së Tretë Punike (149 para erës së re-146 para erës së re.) Sistemi alfabetik i ngjashëm me tonin Fenikasit e thamë edhe më lartë se ishin një popull i dhënë kryesisht pas tregtisë. Pikërisht për shkak të kërkesave të një natyre praktike të lidhura me tregtinë, siç qenë përpunimi i regjistrave të llogarive, hartimi i listave me mallrat që hynin e dilnin dhe dokumentet e arkivave, atyre iu duk jo fort i përshtatshëm përdorimi i hieroglifëve, domethënë i një shkrimi të tipit simbolik. Fenikasit përshtatën për nevojat e veta një tip shkrimi “fonetik”, i quajtur kështu ngaqë çdo tingulli i përkon një shenjë ose një shkronjë. Pra, me gjasë, qenë pikërisht fenikasit të parët që përpunuan një sistem alfabeti të ngjashëm me tonin, i cili u rimor, mbasi iu bënë disa modifikime (për shembull, futja e zanoreve) nga grekët, etruskët dhe romakët.